(VIDEO) Osmani njofton për sigurimin e 55 respiratorëve, nuk dihet se kur do arrijnë

Njëzet e pesë respiratorë nga Fondet norvegjeze që duhet të vijnë në Maqedoninë e Veriut, për momentin po presin në depo në Turqi, deri në gjetjen e një mënyre se si të transportohen në Shkup, shkaku i kufizimeve dhe vështirësive për transportin tokësorë.  Kështu njoftoi zv kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani duke shtuar që 30 aparate të tjera respiratore të siguruara nga Fondet e BE-së, për momentin ndodhen në Kinë.

Bujar Osmani, zv/kryeministër për çështje evropiane
“Deri më tani nga ky komunikim i sekretariatit për çështje evropiane kemi siguruar 25 respiratorë nga Fondet norvegjeze, të siguruara nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara UNOPS, të cilat për momentin ndodhen në depo në Turqi dhe po bisedojmë për mënyrën se si ti transportojmë në Shkup, për shkak të kufizimeve dhe vështirësive për transportin tokësorë. Do të bisedojmë me Malin e Zi që bashkërisht t’i transportojmë nëpërmjet transportuesit të tyre deri në Shkup. Kemi siguruar 30 respiratorë nga Fondet e BE-së, këto respiratorë për momentin janë në Kinë, i ka siguruar në emër të BE-së UNDP, dhe gjithashtu po sigurojmë detajet se si ti transportojmë në Shkup. “

Ndërkaq edhe përskaj përgjigjes pozitive ndaj kërkesës së dërguar tek Republika e Kinës, nuk dihet se kur mund të vijnë 200 respiratorët e tjerë, kjo pasi sipas Osmanit, rreth 100 shtete për momentin furnizohen me resporatorë nga Kina.

Bujar Osmani, zv/kryeministër për çështje evropiane

 “Nga kërkesa që bëmë deri te Republika e Kinës për 200 respiratorë, kemi konfirmim pozitiv, ose përgjigje pozitive për sigurimin e këtyre respiratorëve, mirëpo fakti është që rreth 100 shtete për momentin nga Kina furnizohen me respiratorë dhe ata nuk kanë respiratorë rezervë dhe ashtu siç i prodhojnë edhe i distribuojnë deri tek vendet që kanë nevojë, kështu që nuk mund të them se cili do të jetë numri që do ta sigurojmë nga Kina në kuadër të bashkëpunimit bilateral.”

Osmani njoftoi se të gjithë donatorëve dhe ambasadave të huaja në vend u është dorëzuar lista e parë me 89 artikuj për klinikën infektive dhe klinikat e përcaktuara për trajtim të pacientëve me Covid 19, për situatë të projektuar për 2000 pacientë, sipas asaj që ka paraparë Ministria e Shëndetësisë. Osmani rikujtoi se BE do të sigurojë mbështetje për vendin në vlerë prej 65-70 milion euro. Ai theksoi më tej se si vend që po negocion për anëtarësim, tanimë do të kemi qasje edhe në Fondin Evropian i Solidarizimit.

Ajnur Bafqari /SHENJA/

[embedded content]