Veseli uron Ditën e Kushtetutës: Krenohemi që kemi një ndër kushtetutat më moderne

11:39, 9 Prill 2020

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka thënë se miratimi i Kushtetutës së Kosovës 12 vjet më pare shënoi një moment të rëndësishëm historik për konsolidimin e shtetësisë dhe për të ardhmen e popullit tonë.

Veseli në Ditën e Kushtetutës ka thënë se Kosova krenohet që e ka një ndër kushtetutat më moderne e cila ka mishëruar praktikat më të avancuara dhe standardet më të larta në Europë.

“Ky dokument themeltar i shtetit tonë, bazohet tek parimi i konstitucionalizmit, një ide evropiane që zanafillën e ka në epokën e iluministëve, të cilët nëpërmjet këtij parimi u përpoqën dhe ia dolën me sukses të kufizonin absolutizmin monarkik”.

“Në thelb të konstitucionalizmit qëndron kontrolli dhe kufizimi i pushtetit, përcaktimi i ndarjes së pushteteve si dhe mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut. Prandaj duhet kujtuar ky fakt, sot e në të ardhmen, ndaj kujtdo që manifeston tendenca despotike e autokratike që synojnë ta shkelin sundimin e ligjit në Kosovë. Urime të gjithëve për 9 prillin, Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com