Syrija Rashidi: Kryeministri nuk sjell barazi, por barazia sjell kryeministër

Deputeti aktual dhe bartësi i listës së kandidatëve për deputetë në zonën e pestë nga ana e Koalicionit ASH-AAA, Syrija Rashidi, ka marrë pjesë në fillimin e punimeve të shtabit zgjedhor të Strugës. Rashidi ua bëri me dije struganëve faktin se sa shumë po rritet mbështetja për koalicionin “Tash është Koha”, i cili në zgjedhjet e 15 Korrikut do të arrijë fitoren e madhe për ta sjell ndryshimin e merituar ndër shqiptarë.

“Në zgjedhjet e kaluara ishte beteja për mbi jetesë i këtij projekti, kurse tani më, lirisht mund të them se Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë koalicioni i sigurt fitues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, koalicion i cili përfundimisht do ta sjellë ndryshimin. Nuk ka kurrfarë dileme këtu pasi shqiptarët nuk kanë më alternativa dhe zgjedhje tjera. Është zgjidhja e vjetër e cila nuk ofron asgjë dhe kemi zgjidhjen që sjell ndryshimin dhe do të implementojë një program mjaft cilësor që quhet ‘Shtet për të gjithë’”, theksoi kandidati Syrija Rashidi.

Rashidi ka folur edhe për lojën që po e luan BDI me gjoja kryeministrin shqiptar. Sipas tij, BDI u bashkua edhe me Lube Boshkovskin, vetëm për ta mundur kandidatin shqiptar në Strugë, duke e tjetërsuar vullnetin e shumicës shqiptare.

“Është absurde kur thonë se kryeministri do të sjellë barazi. Ne u themi se kryeministri nuk sjell barazi, por barazia e sjell kryeministrin. Kryeministri do të kishte sjellë barazinë aq sa edhe kryetari i Parlamentit solli barazinë. E dini, kishim kryetar Parlamenti shqiptar, të cilin ne e votuam, por me sakrificë, ne do të votojmë përsëri kryetar parlamenti shqiptar, por nuk e di a ka ndikuar diçka pozitivisht nëpër shtëpitë tuaja, keni pasur më shumë ujë për pije, keni pasur rrugë më të mira, ngaqë kishim kryetar parlamenti shqiptar. Por, do të thonë se kryetari i parlamentit shqiptar fliste shqip në Kuvend, pastaj udhëhiqte seancat shqip. E kjo është e vërtetë, shqip me dy të tretat e shpëtoi nga paraburgimi Trajko Veljanoskin. Është e habitshme se si kohët e fundit kemi dëgjuar se sillen si opozitë, ata fajësojnë LSDM-në dhe VMRO-në për të gjitha të këqijat e shqiptarëve, ata thonë se VMRO dhe LSDM na qenkan antishqiptare, ne e dimë që VMRO dhe LSDM nuk i duan shqiptarët dhe kjo nuk është diçka e re, por edhe kur nuk i kanë dashur shqiptarët, ata e kanë dashur BDI-në”, theksoi mes tjerash bartësi i listës së zonës së pestë, Syrija Rashidi.

%d bloggers like this: