Selmanaj: Franca s’e bllokon liberalizimin e vizave, ka rezerva se ndodh një eksod si në rajon

21:36, 8 Korrik 2020

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj ka thënë se vizita e kryeministrit Avdullah Hoti në Pallatin Elysee në Paris ku u prit nga presidenti i Francës Emmanuel Macron ishte një pritje me ceremonitë më të larta shtetërore.

Ai ka thënë se në takimin me presidentin francez është diskutuar për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Selmanaj në RubikonKlan Kosovës ka thënë se presidenti Macron e ka bërë të qartë që Franca nuk dëshiron ta bllokojë liberalizimin e vizave, por ka dilema për shkak të eksperiencave me vendet e tjera në rajon.

“Si çdo takim që Qeveria e Kosovës e ka me burrështetasit e Bashkimit Europian ka vendosur që të ketë në fokus kryesor çështjen e liberalizimit të vizave. Për neve si shtet i Kosovës tashmë është e pakuptimtë kjo çfarë po ndodh. Ka arsye të caktuara se pse s’e kemi marrë në kohë të mëhershme këtë të drejtë elementare, por sjellje politike të caktuara kanë ndikuar që kjo çështje të prolongohet”.

“Kemi diskutuar me presidentin [Emmanuel] Macron këtë çështje. Presidenti Macron na tha shumë qartë se shteti i Francës nuk është bllokues të këtij procesi dhe pajtohen se Kosova ka përmbushur kriteret e kërkuara nga Bashkimi Europian, duke e veçuar pak çështjen e sundimit të ligjit”.

“Ajo që ngjall rezerva te shteti francez është eksperienca e kaluar që ka pasë me disa nga shtetet e Ballkanit në kohën kur janë liberalizuar vizat. Na thanë që me mijëra raste të kërkesave për azil janë në trajtim, për fat të keq shumica prej tyre ishin nga Shqipëria. Ka një sensitivitet të opinionit publik francez. Ata po mundohen që çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën ta trajtojnë më me kujdes sesa në të kaluarën”.

Selmanaj ka sqaruar se kryeministri kosovar dhe presidenti francez janë dakorduar që të krijohet një ekip i dy Ministrive të Punëve të Brendshme – të Kosovës dhe Francës – që të identifikojnë çështjet të cilat po e vënë në dyshim ‘dritën e gjelbër’ të Francës për vizat.

“Kryeministri Avdullah Hoti propozoi që qysh në ditët e para, ndoshta nga nesër ose java e ardhshme, të krijojmë ekip të përbashkët të Ministrive të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Francës për të identifikuar çështjet që shteti francez ka dilemat e veta rreth një vendimi eventual. Çka nëse nesër merret vendim për liberalizim të vizave dhe Franca pajtohet, atëherë cilat janë pengesat për shtetin francez në çështje teknike të organizimit të Kosovës për të menaxhuar situatën e një eksodi të mundshëm masiv? Emmanuel Macron u pajtua që shumë shpejt, ditëve në vijim, kjo çështje do të konsolidohet”.

Ai ka deklaruar se kjo nuk nënkupton që Kosova do të duhet të plotësojë kushte të reja për të marrë liberalizimin e vizave.

“Nuk po themi se ka kushte të reja. Ajo çka është evidente është që për këtë çështje kërkohet mendim dhe vendim individual i shteteve anëtare. Franca është njëra nga to që sheh me kujdes për shkak të eksperiencës së saj në të kaluarën. Duhet të kemi qasjen tonë kur jemi në një situatë që a të rrimë dhe të shohim kur binden shtetet anëtare që Kosova të ecë tutje, apo ne të bëjmë gjithçka që është e mundur që procesi të përshpejtohet? Për Qeverinë e Kosovës është kjo e dyta – duhet të bëjmë gjithçka që ky proces të ndodhë sa më shpejt që është e mundur”.

“Për çështje javësh mund të vijmë deri te përfundimet se ku janë dilemat e sakta të Francës. Çka duhet të bëjë Policia e Kosovës që të kontrollojë një eksod të mundshëm? A do të duhet të marrë masa shtesë Kosova që të kontrollojë lëvizjen e secilit person që del nga Kosova? Qeveria e Kosovës ka vendosur të mos rrimë në stand-by dhe të shohim se kur një shtet anëtar i BE-së të ndërrojë mendje, por duam të jemi aktiv për të provuar secilin argument kundërshtues nëse e kanë”.

Ai ka thënë se Kosova e ka humbur rastin për të pasë liberalizim të vizave para tri vitesh me çështjen e demarkacionit.

Selmanaj e ka vlerësuar kërkesën e Emisarit të presidentit amerikan për dialogun Richard Grenell për liberalizimin e vizave për kosovarët si shumë të drejtë.

“Mendoj që është kërkesë e drejtë, sepse Richard Grenell po e thotë në publik derisa shtetet tjera anëtare të BE-së që kanë mendim pozitiv që kjo të ndodhë të njëjtën e thonë. Kanë filluar të ndjehen keq se si ka mundësi që kaq shumë të zgjasë ky proces, përkundër që Kosovës i janë vënë kushte ekskluzive dhe shumë më të rënda në krahasim me vendet e tjera. Akoma presim vendimin e madh. Urojmë që kjo të ndodhë shpejt. Besojmë dhe jemi të angazhuar që kjo do të ndodhë shpejt”.

%d bloggers like this: