Kurti: Masat kufizuese do të merren varësisht prej gjendjes së komunave

12:14, 9 Prill 2020

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vizitoi Prizrenin për të dëgjuar kërkesat e kryetarit të komunës Mytaher Haskuka për përballimin e pandemisë.

Ai tha se duhet përgëzuar Prizreni për disiplinën që ka treguar në këtë betejë, njofton Klan Kosova.

“Kanë qenë tre të infektuar në Prizren. Fatkeqësisht njëri ka ndërruar jetë, por një tjetër është shëruar dhe kështu për momentin kemi vetëm një që ka infeksion”.

“Edhe Spitali i Prizrenit, QMF-të, Policia dhe drejtoritë e komunës të gjithë bashkë po organizohen mirë që shpërndarja e virusit të jetë sa më e vonuar në kohë dhe sa më e butë në intensitet. E përgëzoj Haskukën për punën dhe angazhimin në krye të shtabit emergjent. Qytetarët duhet ta shtojnë disiplinën në ditët dhe javët në vijim të këtij muaji vendimtar që nga kjo krizë të dalim sa më pak pasoja”.

“Virusi s’i ka këmbët e veta, por tonat. Nëse ne lëvizim shumë do të lëvizë edhe ai. Qytetarët kanë treguar kulturë dhe përgjegjësi të lartë njerëzore. Këtë ta shtojnë sepse s’mund të llogarisim në sistemin shëndetësor, që as për së afërmi nuk krahasohet me ata europianë. Të përqendrohemi në parandalimin e shpërndarjes”.

Edhe Haskuka tha se nuk duhet që qytetarët të relaksohen sepse kur po ndodh relaksimi rrjedhimisht po rriten edhe rastet.

“Falënderojmë kryeministrin dhe Qeverinë për bashkëpunimin me komunën dhe masat që kanë ndërmarrë. Prizreni do t’i implementojë të gjitha masat në bashkëpunim me institucionet përkatëse. Shpresojmë që ky mirëkuptim i qytetarëve do të vazhdojë dhe do të kemi një ballafaqim pozitiv me Covid-19”.

Kryeministri tha se pas përfundimit të masave për kufizim të lëvizjes më 13 prill do të merren masa të tjera, por varësisht sipas nevojës në komuna. Këto vendime për kufizime do t’i merr ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pasi mbrëmë mori autorizimin nga Qeveria në mledhjen online.

“Ne kemi formuar një grup punues në Qeverinë tonë që përbëhet prej katër ministrave që do të përcaktojë në hollësi edhe masat edhe ndryshimet e tyre në lëvizjen e qytetarëve nëpër komuna, varësisht prej gjendjes që kanë ato. S’mund t’i trajtojmë njëjtë pasi nuk është gjendja e njëjtë”.

Sa i përket opozitës ai tha se përderisa virusi nuk njeh ndasi të tilla edhe ata janë bashkë kundër tij. Kurti gjithashtu shtoi se po mirëpritet nga secili kryetar komune, pavarësisht se nga cila parti vjen.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com