Banka Botërore do ta ndihmojë Kosovën për menaxhimin e krizës Covid-19

13:35, 9 Prill 2020

Në raportin rajonal “Përditësimi Ekonomik – Pranverë 2020” të Bankës Botërore theksohet se masat vendimtare të politikave që prioritizojnë investimet në sistemet e shëndetësisë dhe ofrojnë rrjeta të sigurisë për njerëzit, sidomos ata më të cenueshmit, janë me rëndësi kritike për zbutjen e ndikimeve të pandemisë Covid-19 (koronavirusi) në Evropë dhe Azi Qendrore.

Për Kosovën, raporti projekton që – në mënyrë të ngjashme me vendet e tjera të rajonit – ekonomia do të pësojë një tkurrje në vitin 2020**, edhe nëse masat parandaluese hiqen gjatë tremujorit të dytë të vitit, njofton Klan Kosova.

“Përveç mbylljes së përkohshme të aktiviteteve kyçe ekonomike dhe humbjes së të hyrave të lidhura, në Kosovë ndikimi i pandemisë do të shoqërohet kryesisht me uljen e eksporteve të nxitura nga diaspora, të remitancave informale, si dhe të Investimeve të Huaja Direkte në ndërtimin e banesave; por ekonomia pritet të rimëkëmbet në vitin 2021. Sidoqoftë, nëse pandemia vazhdon përtej tremujorit të dytë të vitit 2020, ndikimi i COVID-19 do të jetë më i ashpër në anën e furnizimit të ekonomisë, duke çuar në humbje afatgjata në vende të punës dhe prodhim”, thuhet në komunikatën e Bankës Botërore.

“Banka Botërore është duke finalizuar një program aktivitetesh për të ndihmuar Kosovën për menaxhimin dhe zbutjen e ndikimit të krizës, përfshirë një projekt të ri me aprovim të shpejtë për t’iu përgjigjur prioriteteve urgjente të sektorit shëndetësor dhe për të mbrojtur të hyrat e amvisërive; një ristrukturim të projekteve të aprovuara tashmë për të mobilizuar fonde në mbështetje të ndërrmarjeve të vogla dhe të mesme; dhe së fundi një operacion kredie të politikave për zhvillim për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike dhe për të ndihmuar në financimin e buxhetit. Së bashku, këto programe ka të ngjarë të tejkalojnë 120 milionë euro”.

*Skenarët e raportit bazohen në të dhëna deri në 20 mars, 2020.

** Shkalla e tkurrjes i nënshtrohet përditësimeve të vazhdueshme të të dhënave administrative dhe llogarive kombëtare.

klankosova.tv

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com